Mamushë, 22 shkurt 2019
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë pune në Komunën e Mamushës, ku fillimisht, iu drejtua banorëve të kësaj komune me një fjalë rasti, për të vazhduar takimin me kryetarin eMamushës, Abdylhadi Krasniq, nga i cili mori një mirënjohje.
Në fjalën e tij para banorëve të Komunës së Mamushës, ku gjithashtu të pranishëm ishin edhe personalitete të tjera, si kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryeministri Haradinaj tha se Mamusha është një komunë simbolike, një komunë rurale dhe zonë bujqësore, në të cilën jeton një popull autokton, një komunitet autokton, me shumicë turq të Kosovës.
“Mamusha është një shembull i mirë i njerëzve punëtor, i njerëzve të dashur dhe shumë të respektuar, që kanë respektin për popujt përreth dhe fatmirësisht është edhe një urë lidhëse e miqësisë që e ka Kosova me Republikën e Turqisë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, gjatë vizitës në këtë komunë, tha se ka ardhur për të falënderuar për punën dhe angazhimin që e bëjnë dhe gjithashtu për të mësuar për së afërmi për kërkesat dhe nevojat, detyrat, të cilat dalin, duke theksuar se kjo komunë ka një buxhet të vogël dhe të hyrat vetanake po ashtu të vogla dhe që veprimtarinë e vet jetësore e bazon në bujqësi dhe perimtari, por që së bashku me Qeverinë qendrore do të mund të ecet drejt zhvillimit tëMamushës dhe zhvillimit të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj tha poashtu se me kryetarin e Mamushës, AbdylhadiKrasniq kanë një bashkëpunim të mirë dhe siguroi që Qeveria e Kosovës është e tyre, ashtu siç janë ata të Kosovës dhe mund të llogarisin në të.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniq falënderoi kryeministrin Haradinaj për mbështetjen dhënë kësaj komune, sidomos në ndihmën dhënë gjatë dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve.
Ministri i Administratës Publike, MahirJagxhilar, tha se gjatë 10 viteve sa është Komunë, Mamusha ka treguar suksesin e vet, i cili është sukses i Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, gjatë vizitës në këtë komunë, vizitoi edhe fermën, ndër më të mëdhatë në vend, fermë kjo për majmëri, ku nga pronari i saj RaifMorina u njoftua për sukseset, por edhe për shqetësimet me të cilat ballafaqohet kjo veprimtari.
Kryeministri Haradinaj, po ashtu vizitoi edhe disa sera të tjera në këtë komunë, ku tha se do të angazhohet për shqetësimet që u ngritën nga banorët, si, infrastruktura, Shtëpia e Kulturës, sanimi i rreziqeve nga vërshimet.
