Në bashkëpunim me KRU Gjakova kemi përfunduar projektin e ujit të pijshëm, duke e furnizuar Mamushan me ujë nga Liqeni i Radoniqit. Ky hap i rëndësishëm ka vendosur themelet e një infrastrukture të fortë dhe të shëndetshme të ujësjellësit, të cilën qytetarët tanë e kanë pritur me vite. Sot, së bashku me drejtorin e Hidroregjioni Jugor, z. Fadil Berisha dhe ekipin e tij, po planifikojmë fazën e dytë dhe më të rëndësishme të projektit. Gjatë këtij viti do të riorganizojmë rrjetin e ujësjellësit brenda komunës, do të vendosim linja të reja në zonat ku ka nevojë dhe do t’i zhvendosim ujëmatësit jashtë oborreve, në përputhje me ligjin, për një sistem më të rregullt dhe më të kontrolluar. Qëllimi ynë nuk është vetëm ta sjellim ujin, por ta sigurojmë furnizimin e shëndetshëm, të balancuar dhe të pandërprerë për çdo familje. Projekti i rishpërndarjes do të përgatitet me kujdes maksimal dhe do të zbatohet sa më shpejt, në mënyrë që të shmanget çdo problem i mundshëm. “Mamusha meriton më të mirën. Çdo hap që po e ndërmarrim nuk është i përkohshëm, por investim afatgjatë për të ardhmen e komunës sonë,” tha Abdullhadi Krasniç.